Çerdhet e fëmijëve

Çerdhet e fëmijëve janë institucione për fëmijë që sigurojnë përkujdesje dhe edukim të fëmijëve të moshës parashkollore. Rrjetin e çerdheve për fëmijë e përbëjnë çerdhet publike dhe private për fëmijë. Aty realizohet veprimtari e integruar e përkujdesjes dhe veprimtari edukativo-arsimore. Komponenti edukativo-arsimor në çerdhet për fëmijë realizohet sipas Programit për mësim dhe zhvillim të hershëm, të bazuar në Standardet e mësimit dhe zhvillimit të hershëm.

Njohuritë e reja për zhvillimin e trurit dhe rëndësia e zhvillimit të hershëm të fëmijës kërkojnë të ndryshohet roli i çerdheve të fëmijëve në drejtim të fuqizimit të rolit të tyre edukativo-arsimor dhe për nxitjen e mësimit të hershëm. Çerdhet e fëmijëve janë institucione në të cilat investohet për jetën e fëmijëve të vegjël, në mësimin dhe zhvillimin e tyre të hershëm. Në aktivitetet e përditshme programore ato i nxisin fëmijët e vegjël që gradualisht të përvetësojnë aftësi dhe shkathtësi përmes pjesëmarrjes së tyre aktive në procesin arsimor. Kështu fëmijët bëhen nxënës kompetentë, me vetëbesim dhe fleksibilë e të gatshëm për të përvetësuar dituri dhe shkathtësi të reja. Fëmijët e vegjël në çerdhet e fëmijëve mësojnë përmes lojës dhe mësimin e përjetojnë si argëtim, i cili paraqet bazë të mirë për zhvillimin e potencialit të tyre të plotë.