Institucione dhe agjenci për mësim dhe zhvillim të hershëm

Institucionet tradicionale publike për fëmijë – çerdhet për fëmijë – deri vonë ishin institucionet e vetme në sektorin e arsimit parashkollor. Ligji i ri për mbrojtjen e fëmijëve promovon institucione dhe programe të llojllojshme parashkollore, ashtu që prindërve dhe fëmijëve të vegjël u ofron mundësi për të zgjedhur program dhe institucion që më së shumti u përgjigjet nevojave të tyre.

Fëmijët e moshës parashkollore kanë lindur për të luajtur, për të gjurmuar dhe për të zbuluar gjëra të reja. Secili aktivitet i tyre nënkupton mësim të diçkaje që është e re ose realizim të ndonjë veprimi që tashmë e kanë mësuar. Dallimi i programeve që i ofrojnë, fleksibiliteti dhe lokacioni i tyre, si dhe fokusi i mësimit përballë përkujdesjes gjithnjë e më shumë njihen si tregues të cilësisë së institucioneve parashkollore.

Zgjerimi i rrjetit të institucioneve parashkollore mundëson pakësim të jazit në qasjen ndaj shërbimeve, si dhe rritje të mundësive të fëmijëve të familjeve me probleme sociale për qasje në institucionet parashkollore që ofrojnë programe të shkurtra, të cilat janë të fokusuara në mësimin dhe zhvillimin e hershëm te fëmijët e moshës parashkollore.