Loja dhe lodrat

Loja për fëmijët nuk është vetëm mënyrë për argëtim, por edhe mjet përmes të cilit fëmijëve u ndihmohet ta zbulojnë vetveten e tyre dhe vendin e tyre në botën që i rrethon. Lodra e parë dhe më e dashur për ata, derisa janë ende bebe, janë prindërit. Lojën e parë e përjetojnë me prindërit dhe, ashtu siç rriten dhe zhvillohen, ashtu zgjerohet edhe rrethi i njerëzve me të cilët fëmija luan edhe zgjedhja e lodrave dhe sendeve [link to IGRACKI I RANO UCENJE.DOC] me të cilat ai luan.

Loja me fëmijën e tij është njëra nga gjërat më të bukura që mund ta përjetojë një prind. Njëherazi, ky është edhe një mjet shumë i rëndësishëm në procesin e mësimit të hershëm te fëmijë tanë. Ndonëse duken të thjeshta, përqafimet, fjalët që ua themi, këngët që ua këndojmë, bisedat që i bëjmë me ata, përrallat që ua tregojmë, buzëqeshjet dhe gjërat me të cilat i argëtojmë, janë njëherazi edhe mësimi me i frytshëm që u ndihmon fëmijëve tanë të rriten dhe të zhvillohen drejt.

Koha që e kalojmë me ata u ndihmon atyre që t’i zgjerojnë përvojat e tyre, ndihmon që të mësohen të na besojnë dhe të mbështeten te ne kur të kenë nevojë. Afërsia që e arrijmë përmes lojës i ndihmon fëmijës që të ndjejë vetëbesim, duke e ditur se është i dashur dhe i sigurt kur ju jeni pranë tij. Fëmijët përmes lojës mësohen ta ndajnë gëzimin, frikën, dashurinë dhe hidhërimin, si dhe të arrijnë kontroll ndaj ndjenjave të tyre.

Pasi që të rriten, te fëmijët që janë rritur përmes lojës zgjohet interesi për sport dhe aktivitete sportive, të cilat më tej do t’u ndihmojnë në fuqizimin e shkathtësive të tyre jetësore [link to…].