Prindër, mësoni më shumë

Kur mendojmë për fëmijët tanë, shpeshherë dëshirat tona për ardhmërinë e tyre të bukur janë të llojllojshme, por zakonisht në fund të këtij mendimi ato treten në dëshirën më të madhe: dëshirojmë të jenë në rrugë të mbarë dhe ne të kemi jetë të gjatë që të mund t’u ndihmojmë.

Prindërit gjithnjë e kanë ditur dhe e dinë se sa më shumë që jemi të përkushtuar në kujdesin ndaj fëmijëve tanë kur ata janë të vegjël, aq më të qetë do të jemi për shëndetin e tyre kur ata të rriten dhe ashtu kontribuojmë për aftësinë e tyre për të mësuar që nga mosha më e hershme dhe, kështu, e nxisim edhe zhvillimin e tyre të gjithmbarshëm.

Njohuritë më të reja shkencore për zhvillimin e trurit thonë se fëmijët fillojnë të mësojnë shumë më herët dhe mësojnë në vëllim shumë më të madh në krahasim me mendimin që ka mbisunduar deri vonë.

Hulumtimet që janë bërë flasin se kujdesi që e investojnë fëmijët dhe familja në zhvillimin e fëmijëve [link to…] derisa janë shumë të vegjël ndikon drejtpërdrejt në atë se cila do të jetë sjellja e fëmijës kur ai të rritet dhe në atë se çfarë rezultatesh do të arrijë ai gjatë shkollimit që vijon.

Nëse u ndihmojmë që ta ndjejnë gëzimin e zbulimit të gjërave të reja derisa janë të vegjël dhe qysh në atë moshë ta kuptojnë vlerën e arsimit, ne përcjellim mesazh të fuqishëm se dituria vlen, që do të na kthehet me qetësi dhe gëzim për sukseset e tyre në vitet kur ata do të pavarësohen.

Prindërit janë përgjegjës që fëmijës t’i krijojnë kushte që të mësojë dhe të zhvillohet qysh në moshë të hershme, në atmosferë familjare stabile dhe të sigurt, si dhe që me sjelljen e tij të promovojnë vlera konstruktive sociale dhe arsimore.

Gjithë kjo mund të arrihet në shtëpi, përmes bisedave të përditshme me fëmijët, duke lexuar libra, duke u rrëfyer përralla, por edhe përmes inkuadrimit të fëmijëve në programe për zhvillim të hershëm të fëmijës – duke i regjistruar në çerdhe për fëmijë ose në qendrat e specializuara për zhvillim të hershëm të fëmijës.

Një kontribut të madh për krijimin e kushteve të mira për mësim të hershëm në familje dhe në bashkësi mund të japin edhe edukatorët e institucioneve parashkollore – çerdheve për fëmijë dhe qendrave për zhvillim të hershëm të fëmijës, të cilët janë profesionistë në përcjelljen e diturisë përkatëse të prindërve. Jorastësisht ndërmjet njerëzve mbisundon mendimi se fëmijët që shkojnë në çerdhe për fëmijë piqen më herët, pavarësohen më herët dhe më lehtë vendosin kontakte me mjedisin e tyre.

Rezultatet më të mira fëmijët i arrijnë kur ndërmjet prindërve, fëmijëve dhe edukatorëve vendoset bashkëpunim i mirë dhe i rregullt. Një bashkëpunim i tillë u ndihmon prindërve dhe secilit që është i inkuadruar në kujdesin për fëmijën e vogël që të marrë informacione cilësore për atë se si dhe në çfarë mënyre programet për zhvillim të hershëm të fëmijës në institucionet parashkollore ndikojnë në nxitjen e zhvillimit të fëmijës.

Ditët që i kalon fëmija në çerdhen për fëmijë janë të mbushura me plot momente argëtuese. Ajo është periudhë kur ndodhin ndryshimet më të mëdha në zhvillimin e marrëdhënies ndaj mjedisit, ndjenjave, mënyrës së të menduarit dhe zhvillimit trupor të fëmijës.

Ndryshimet e tilla ndodhin shumë më shpejt seç na shkon për dore neve që t’i vërejmë. Në vetëdijen e prindërve çerdhja mund të jetë vetëm vend ku fëmija qëndron derisa prindi është në punë, ku ditët kalojnë në lojë, në ushqim dhe gjumë, por derisa fëmijët janë atje, trutë e tyre janë vazhdimisht aktivë.

Përmes lojës dhe aktiviteteve kreative, ata përvetësojnë shkathtësi të reja, gjejnë zgjidhje për gjërat që i bëjnë kureshtarë, arrijnë vetëbesim, zhvillohen dhe përvetësojnë qasje pozitive ndaj mësimit.

Njohja e shkronjës “a” për prindin mund të jetë një gëzim i madh ose një punë e vogël, një përparim i ngadalshëm në krahasim me atë që e di ndonjë fëmijë tjetër, por gjërat e tilla të vogla janë bazë për mësim që atyre do t’u shërbejë më tej gjatë jetës.

Kjo është periudhë kur ia vlen t’u lejoni atyre të gabojnë. Secili gabim është një përvojë e re dhe herën e ardhshme kur ta përsërisin atë, kjo do t’u ndihmojë të mësojnë diçka të re, të kuptojnë se mësimi mund të jetë edhe argëtues.