Qendrat për zhvillim të hershëm të fëmijëve

Qendrat për zhvillim të hershëm të fëmijëve paraqesin alternativë të çerdheve në bashkësitë lokale ku nuk ka çerdhe, para së gjithash në mjediset rurale dhe të margjinalizuara. Dallimi ndërmjet çerdheve dhe qendrave për zhvillim të hershëm të fëmijëve është në atë se qendrat për zhvillim të hershëm të fëmijëve nuk ofrojnë shërbime për “kujdes gjithëditor për fëmijën” (fëmijët që shkojnë në qendrat për zhvillim të hershëm të fëmijëve nuk ushqehen dhe nuk flenë në qendër); fëmijët që shkojnë në qendrat për zhvillim të hershëm të fëmijëve vetëm marrin pjesë në programin e organizuara për mësim të hershëm (rëndom nga dy orë në ditë). Ato janë adekuate dhe fleksibile në përmbushjen e nevojave të fëmijëve për mësim dhe zhvillim, si dhe më të lira (shpenzime më të ulëta) për organizim sesa çerdhet. Edhe qendrat për zhvillim të hershëm të fëmijëve punojnë sipas Programit për mësim dhe zhvillim të hershëm, i cili është i bazuar në Standardet për mësim dhe zhvillim të hershëm.

Qendrat për zhvillim të hershëm të fëmijëve identifikohen si prioritet i shtetit me qëllim që të rritet përfshirja e fëmijëve të bashkësive më të varfra dhe më të margjinalizuara. 5 funksionet e tyre themelore janë:

1. Mbështetja e bashkësive lokale gjatë identifikimit të grupeve të lëndueshme të nxënësve;
2. Realizimi i Standardeve për mësim dhe zhvillim të hershëm në mbështetjen e stimulimit dhe zhvillimit të hershëm të fëmijëve për përgatitje më të mirë për shkollë dhe, në përgjithësi, për jetë;
3. Organizimi i aktiviteteve me prindër në bashkësinë lokale, të cilat janë të orientuara drejt sigurimit të mbështetjes për fëmijët e vegjël;
4. Ofrimi i ndihmës dhe mbështetjes për prindërit në përmirësimin e qasjes në shërbime të tjera themelore sociale për fëmijët e tyre;
5. Fuqizimi i rëndësisë së zhvillimit të hershëm të fëmijës në bashkësinë lokale.

Ana e fuqishme e qendrave për zhvillim të hershëm të fëmijëve është edhe mbështetja që e ofrojnë prindërit me qëllim që t’u sigurojnë përkujdesje dhe kujdes më të mirë fëmijëve në mjedis shtëpiak.

Qendrat për zhvillim të hershëm të fëmijëve ofrojnë lloje të ndryshme të shërbimeve, varësisht nga nevojat e bashkësisë lokale; në pajtim me grupmoshat, ato përfshijnë:

1. Mosha 0-1 vjeç: Disa qendra realizojnë vizita mujore në shtëpi.
2. Mosha 1-3 vjeç: Prindërit mblidhen dy herë në muaj në sesione informative.
3. Mosha 3-6 vjeç: Fëmijët vetë vijnë në qendra, qoftë për aktivitete individuale ose grupore për mësim. Disa qendra po ashtu vazhdojnë me arsimimin e prindërve të fëmijëve të kësaj grupmoshe.

Numri i orëve që fëmijët e moshës 3-6 vjeç i kalojnë në qendra në të shumtën e rasteve është 10 orë në javë, rëndom të ndara në 5 ditë. Këto sesione me nga dy orë mbahen ndaras për fëmijët 3-vjeçarë, 4-vjeçarë dhe 5-vjeçarë, gjë që rezulton me gjashtë orë pune konsekutive për arsimtarin. Bashkë me aktivitetet për fëmijë të moshës në 3 vjeç, vëllimi i përgjithshëm i punës është një orar i plotë. Varësisht nga madhësia e grupit, por edhe nga gjendja financiare, arsimtarët punojnë vetë ose në ekipe me nga dy vetë.

Me qëllim që të sigurohet qëndrueshmëri, qendrat e reja hapen në partneritet me komunat, të cilat do të sigurojnë hapësirë për qendrat (rëndom këto janë ndërtesa të komunës që nuk përdoren ose klasa në ndonjë shkolle lokale) dhe ato i marrin përsipër shpenzimet rrjedhëse (shpenzimet komunale dhe rrogat e edukatorëve). Partneritet ndërmjet UNICEF-it dhe Fondacionit T-Mobile do t’i mbulojë shpenzimet fillestare (gjegjësisht përmirësimet e imëta, furnizimin me pajisje dhe materiale edukative, si dhe trajnimin e edukatorëve për realizimin e standardeve).