Rëndësia e zhvillimit të hershëm të fëmijës

Hulumtimet që janë bërë në disa shkenca të ndryshme – antropologji, psikologji zhvillimore, mjekësi, shkenca sociale – flasin se përvojat që i arrin fëmija në fëmijërinë e hershme janë faktorë të rëndësishëm për zhvillimin e inteligjencës, personalitetit dhe marrëdhënies që do ta ketë fëmija ndaj të tjerëve.

Nëse janë të anashkaluar, nëse nuk u përkushtohemi sa duhet që t’u ndihmojmë të krijojnë marrëdhënie të mira me mjedisin, që të mësohen t’i kontrollojnë emocionet e veta në këtë periudhë, gjithë kjo do të reflektohet në mënyrë negative në periudhat e mëvonshme të jetës.

Nuk mjafton që fëmija të jetë mjaft i ushqyer dhe i shëndetshëm. Zhvillimi i fëmijëve njëherazi është edhe zhvillim në më shumë fusha. Gjithçka është e lidhur mes vete dhe nëse ndonjëra nga ato lihet anash, ekziston rrezik që fëmija të mos e përdorë plotësisht potencialin e tij; kjo vlen veçmas për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore.

Konventa për të Drejtat e Njeriut në mënyrë të veçantë e thekson rëndësinë e zhvillimit të hershëm të fëmijës dhe përcakton se secili fëmijë ka të drejtë ta zhvillojë deri në nivelin më të lartë potencialin e tij zhvillimor (Neni 6), ndërsa vendet anëtarë të Kombeve të Bashkuara detyrohen që secilit fëmijë t’i sigurojnë standard që do t’i mundësojë zhvillim fizik, mendor, shpirtëror dhe social.

Situatat stresuese në të cilat fëmija është i ekspozuar në fëmijërinë e hershme – grindjet në familje, sjellja agresive e dikujt në mjedisin e tij – mund të ndikojnë që më vonë në jetën e fëmijës të shfaqen vështirësi në zhvillimin e proceseve mendore dhe në të mësuar, në shprehjen dhe kontrollimin e ndjenjave të tyre, si dhe në probleme që mund të dalin në krijimin e marrëdhënieve të mira me njerëzit përreth tij.

Dukuritë e këtilla mund ta ngadalësojnë përgatitjen e fëmijës për shkollë dhe të jenë shkak që fëmija të arrijë rezultate më të dobëta gjatë shkollimit në shkollë të mesme dhe në fakultet.

Sipas statistikave, fëmijët e familjeve të diskriminuara sociale kanë pasoja të shumëfishta nga varfëria dhe përfundojnë më pak vite shkollë se moshatarët e tyre të shtresave më të pasura. Shkak për këtë është motivimi më i vogël dhe kapaciteti më i vogël për mësim.

Mundësia që këtyre fëmijëve t’u ndihmohet të kenë fillim sa më të barabartë në procesin arsimor, është fëmijëria e hershme, si periudhë në të cilën ndodhë zhvillimi intensiv i trurit dhe kur vendosen bazat e zhvillimit mendor dhe socio-emocional.

Përkushtimi ndaj zvogëlimit të varfërisë dhe rritjes së mundësive të të gjithë fëmijëve që të kenë sukses në të arriturat arsimore kërkon investim më të madh në fëmijërinë e hershme dhe integrim në ndërhyrjet shëndetësore, sociale dhe arsimore në nivel lokal, rajonal dhe nacional. Sa më shumë që investohet në krijimin e kushteve për zhvillim cilësor të fëmijës në rininë e hershme, aq më pak duhet të investohet në zhvillimin e tij në periudhat e mëvonshme të zhvillimit të tij.

Sigurimi i zhvillimit të shëndoshë kognitiv dhe socio-emocional te secili fëmijë meriton të jetë prioritet më i lartë i secilës qeveri të përgjegjshme, bashkësi lokale të përgjegjshme dhe familje të përgjegjshme me fëmijë të vegjël.

Fëmijët tanë janë pasuria jonë më e madhe. Atë që ua japim në periudhën që nga lindja e deri në kohën kur shkojnë në shkollë, është investimi më i madh që kurdoherë kemi mundur ta investojmë te ata. Gjithçka tjetër është mbindërtim mbi themelin që është vendosur në fëmijërinë e hershme. Nëse kemi vënë themel të mirë, të fortë, do të mund të gëzohemi qetë me sukseset e tyre kur ata të rriten. Çastet që i ndajmë sot për t’u përgjigjur në pyetjet e tyre kureshtare, do të na kthehen dhjetëfish kur të fillojnë të na mahnitin me mënyrën se si e interpretojnë botën.

Investim që ia vlen.