NË KOMUNËN E DOLLNENIT PËR HERË TË PARË FILLOI ZBATIMI I PROGRAMIT PARASHKOLLOR


Fshati Desovë, Komuna e Dolnenit, 2 mars, 2014: Sot në një ceremoni solemne dr. Boshe Milosheski, kryetar i Komunës së Dollnenit dhe dr. Bertran Demulen, përfaqësues i UNICEF-it zyrtarisht e hapën Qendrën për Zhvillim të Hershëm Fëmijëror në fshatin Desovë, ashtu që në këtë Komunë për herë të parë është realizuar mundësia për shfrytëzim të këtij lloji të shërbimit.
Desova është njëri ndër 37 fshatrat e Komunës së Dollnenit, në të cilin deri më sot nuk ka pasur kurrfarë shërbime parashkollore – kopshte për fëmijë ose qendra për zhvillim të hershëm fëmijëror.

“Në të kaluarën nuk ishte e mundshme të hapet kopsht për fëmijë në komunën tonë”, deklaroi kryetari i Komunës së Dollnenit, dr. Boshe Millosheski. “Mirëpo falë këtij modeli ekonomik, fëmijët e Desovës do të jenë fëmijët e parë të Komunës së Dollnenit, të cilët do të vizitojnë program të organizuar parashkollor”.

Për momentin kopshte për fëmijë ka vetëm në 45, nga gjithsej 80 komunat në vend, edhe atë kryesisht nëpër qytete dhe mjedise urbane. Për fat të keq për një numër të madh të komunave hapja e kopshteve për fëmijë është e pamundshme, për shkak të shpenzimeve, që do të duhet t’i bartin vetëqeverisjet lokale dhe prindërit e fëmijëve. Me reformat e realizuara kohëve të fundit në këtë sferë u dha mundësia për shërbime të shumëllojshme dhe për zgjidhje alternative.

“Zbatimi i shërbimeve parashkollore nuk duhet të konsiderohet si shpenzim, por si investim në resurse njerëzore dhe zhvillim ekonomik dhe social”, deklaroi përfaqësuesi i UNICEF-it dr. Bertran Demulen. “Në pajtim me reformat e reja komunat i përshtatin hapësirat e pashfrytëzuara të shkollave fillore dhe ambulancave lokale, me qëllim që t’ia ofrojnë këta shërbime bashkësisë”.

Qendra për Zhvillim të Hershëm Fëmijëror në Desovë është qendra e trete e hapur në kuadër të iniciativës “Pesë të parat janë më të mbarat”. Dy qendrat e para janë hapur në fshatin Sellcë, Komuna e Tetovës dhe në fshatin Jargulicë, Komuna e Radovishit. Me mjetet e dhuruara nga Fondacioni T-Mobile për Maqedoni do të hapen së paku tetë Qendra.

“Investimi i nevojshëm për të siguruar mundësi të barabartë për zhvillim të hershëm cilësor të fëmijëve në Maqedoni nuk është shumë i madh, “ deklaroi kryetarja e Fondacionit të T-Mobile për Maqedoni Lea Lipsha. “Prandaj shpresoj se qendrat e hapura deri më tani do të shërbejnë si shembull për komunat tjera dhe për sipërmarrjet private, që t’i bashkëngjiten kësaj iniciative”.  

Në kuadër të fushatës “Pesë të parat janë më të mbarat” komunave iu ofrohet partneritet me UNICEF-in, ndërsa sipërmarrjet dhe individët ftohen, që përmes donacioneve të tyre të ndihmojnë në zgjerimin e mëtejmë të rrjetit të programit për zhvillim të hershëm fëmijëror. Sipërmarrjet kanë mundësi të “marrin vendim për mbështetje të qendrës për zhvillim të hershëm fëmijëror”, duke i mbuluar shpenzimet për themelim të saj, ndërsa individët mund të kontribuojnë përmes donacionit në shumë prej 100 denarësh përmes thirrjeve në numrat e telefonit 070/075/077 143 555.