U HAP QENDRA E RE PËR ZHVILLIM TË HERSHËM TË FËMIJËVE NË FSHATIN ZLEOVË

FSHATI ZLEOVË, RADOVISH, 19 QERSHOR 2014: Falë qendrës së re për zhvillim të hershëm të fëmijëve, që ishte hapur në kuadër të iniciativës “5 të parat janë më të mbarat”, fëmijët e moshës 3 deri në 6 vjeç të fshatit Zleovë të Radovishit tash kanë mundësi të ndjekin program cilësor parashkollor.

“Sigurimi i zhvillimit të drejtë psiko-fisik dhe socio-emocional të fëmijëve duhet të jetë prioritet i secilës shoqëri. Ngrohtësia dhe dashuria që ua falim fëmijëve që nga lindja e deri në ditën e parë të shkollës është investimi më i rëndësishëm i jetës”, tha z. Sashko Nikollov, kryetar i Komunës së Radovishit. “Për shkak të kësaj jemi këtu, në fshatin Zleovë, që në bashkëpunim me UNICEF-in dhe Fondacionin “T-Mobile” të vendosim bazë të fuqishme për zhvillimin e drejtë të tyre në personalitete.”

Deri vonë mënyra e vetme me të cilën komunat mund t’u përgjigjeshin nevojave të programeve parashkollore ishin çerdhet. Me Ligjin e ri për mbrojtjen e fëmijëve, tash komunat kanë bazë ligjore që ta rrisin përfshirjen dhe ta përmirësojnë cilësinë e programeve parashkollore përmes themelimit të qendrave për zhvillim të hershëm të fëmijëve. 
Iniciativa “5 të parat janë më të mbarat” u ofron mundësi komunave që të kenë qasje në mjete për themelimin e qendrës aty ku ka më së shumti nevojë dhe për trajnimin e personelit që punon me fëmijët.

“Qendrat për zhvillim të hershëm të fëmijëve janë shumë të dobishme për ato vende në të cilat nuk ka mundësi ose nevojë për hapjen e çerdhes”, tha znj. Razha Msefer Berada, zëvendës-përfaqësuese e UNICEF-it. “Shumë prindër, madje edhe gjyshe e gjyshër, kujdesen për fëmijët ose nipat e tyre në kushte familjare dhe nuk kanë mundësi të paguajnë kompensim mujor për qëndrim në çerdhe.”

Me miratimin e ligjit të ti, qendrat e hapura për zhvillim të hershëm të fëmijëve, duke i përfshirë edhe qendrat e hapura përmes kësaj iniciative, paraqesin mundësi më të lirë për komunat dhe për prindërit. Ndonëse disa qendra i ftojnë prindërit të japin donacione minimale për mbulimin e shpenzimeve për materiale harxhuese (ngjyra, letër, ngjitës etj.), prindërit nuk paguajnë që fëmija i tyre ta ndjekë këtë program.

“Investimi i nevojshëm që të sigurohet që të gjithë fëmijët në Maqedoni të kenë mundësi të barabarta për qasje në zhvillim të hershëm cilësor të fëmijëve nuk është aq i madh,” tha znj. Lea Lipsha, kryetare e Fondacionit “T-Mobile për Maqedoninë”. “Ne shpresojmë se qendrat që deri tash janë hapur do të shërbejnë si model për inkuadrimin e komunave të tjera dhe kompanitë private.”

Qendra në Zleovë është qendra e katërt që është hapur me mjetet e dhuruara nga Fondacioni “T-Mobile për Maqedoninë”. Në këtë plan është paraparë hapja e qendrave në Lisiçë të Poshtme Aerodrom dhe në mjediset rurale të komunave që sapo janë bashkuar me këtë iniciativë – Qendër Zhupë, Ohër dhe Gostivar.

Për më shumë informacione ju lutemi drejtohuni te: Suzi Papas Çapovska, UNICEF Shkup (02) 3231-150 (lok: 127),  072  236 725 ose në spappas@unicef.org