Çka është zhvillimi i hershëm i fëmijës?

Zhvillimi i hershëm i fëmijës quhet procesi përmes të cilit fëmijët rriten dhe zhvillohen derisa janë ende të vegjël. Në këtë periudhë ndodhin ndryshime në disa fusha, që profesionalisht quhet domene zhvillimore – ndryshime fizike, mentale dhe emocionale, përkatësisht fëmija e zhvillon lëvizshmërinë e tij, mënyrën e të menduarit dhe botën e ndjenjave të tij.

Zhvillimi i hershëm fillon në periudhën e nxënies, ndërsa përfundon me periudhën kur fëmijët hyjnë në shkollë. Gjatë këtij procesi, pra në këtë periudhë, fëmijët përvetësojnë aftësi dhe shkathtësi që u ndihmojnë atyre të ndërmarrin aktiviteteve gjithnjë më të vështira dhe më të ndërlikuara.

Prandaj është shumë e rëndësishme që të rriturit pikërisht në këtë periudhë të investojnë sa më shumë që munden në krijimin e kushteve dhe mjedisit të bukur për rritjen e fëmijëve dhe ta përmbushin nevojën e fëmijës që ai të mësojë sa më shumë që në moshë shumë të hershme. Fëmija i kësaj moshe ka nevojë të lëvizë, të marrë përgjigje për pyetjet e tij, të shprehë dhe të dëgjojë mendim për veprimet dhe idetë e tij.

Mësimi te fëmijët e vegjël fillon që nga dita e parë e lindjes. Ashtu siç e përshkruan Qendra për Zhvillim të Hershëm të Fëmijës – në Universitetin e Harvardit në SHBA, zhvillimi i trurit është i ngjashëm si ndërtimi i shtëpisë, ndërsa periudha e fëmijërisë së hershme është koha kur vendosen themelet, të cilat do t’i japin shtëpisë fortësi gjatë viteve vijuese. Sa më shumë që do të përvetësojnë përvojë cilësore në fëmijërinë e hershme, aq më shpejt do të zhvillohet edhe truri i tyre.

Të gjitha sukseset e fëmijës në vitet e mëvonshme më së shumti varen nga ajo se në çfarë mjedisi rriten dhe zhvillohen fëmijët derisa janë të vegjël. Fëmijët që rriten në mjedis të qetë, ku mund të marrin përgjigje për pyetjet e tyre, ku të rriturit gjejnë mënyra që t’i nxisin për të menduar dhe për të zbuluar më shumë, kanë më shumë mundësi që të shfrytëzojnë më shumë nga potencialet që i ka secili prej tyre. Sa më shumë që mësojnë dhe zbulojnë në fëmijërinë e hershme, aq më të mëdha bëhen shanset për të arritur më shumë dhe për të qenë më të suksesshëm gjatë shkollimit të mesëm dhe gjatë studimeve.

Periudha kur arrihet përvoja e hershme kërkon nga të rriturit përkushtim nga më shumë anë. Gjithë ajo që është betejë e përditshme për t’u siguruar fëmijëve të tyre kushte të mira për t’u rritur, më vonë d të dëshmohet se ka qenë diçka që ia ka vlejtur: ushqimi, sigurimi i shtëpisë dhe veshjes, koha që e kanë kaluar me fëmijët derisa të rriten, kujdesi për t’i mbrojtur nga sëmundjet, koha e ndarë për fëmijët që ata të jenë me shokët e tyre, inkurajimi i fëmijëve që të bisedojnë me njerëzit e ambientit të tyre, bisedat e bëra, që kanë ndikuar te ata që të ndjehen të sigurt në ndonjë vend të panjohur.

Rritja e mëvonshme do të dëshmojë se ia ka vlejtur të investohet në ata – të përmbushet nevoja e tyre për të luajtur dhe për të gjurmuar, që të ndjehen se janë të dashur dhe të sigurt, që të bëhen të pavarur, që të ndërmarrin role udhëheqëse dhe të jenë të qëndrueshëm në atë që e kanë filluar. Gjithë kjo e nxit zhvillimin e fëmijës në mënyrë gjithëpërfshirëse ose, thënë profesionalisht, në “mënyrë holistike”

Derisa janë shumë të vegjël, fëmijët përvetësojnë dituri përmes kontakteve të tyre me njerëz dhe me sende të ambientit të tyre, duke i dalluar gjërat që përsëriten. Në vitet e mëvonshme pjesën më të madhe të përvojave e arrijnë përmes shoqërimit dhe kontaktit me më të rriturit dhe me fëmijët që janë në moshën e tyre.